AlbEmigrant  
  
Intervistat
 
Intervistë me zotin Kadri Sherifi
 
 
Menuja Albemigrant
albemigrant
tribuna shqiptare
Lajme / News
Kosova tek AlbemigranT
Guestbook
Intervista

 

 

Kadri Sherifi : Pse jo?

Një pëgjigje të cilën nuk do ta harroni kurrë ...

Intervistoi  Ajet Nuro*

 

Në disa artikuj opinioni të botuar nga Tribuna Shqiptare, Kadri Sherifi nënshkruan: Autori është konkurrues për Çmimin vjetor “Rexhai Surroi” me romanin “Arbëresha”.  Sipas sajtit të shpërblimit të organizuar nga shtëpia botuese Koha, anëtarët e jurisë për letërsi: Sabri Hamiti, Eqrem Basha dhe Bardh Rugova, në radhë të parë duhet të zgjedhin një listë të ngushtë të së paku tre finalistëve nga 50 konkurrues. Pastaj, ata do të shprehen prap për të zgjedhur romanin më të mirë të vitit 2008 i cili do të fitojë çmimin vjetor më 22 dhjetor.  

Në kuadër  të kremtimit të javës së njëqindvjetorit të Kongresit të Alfabetit (14 -22 nëntor), Tribuna Shqiptare ka intervistuar bashkëpunëtorin e saj. Këtu do të lexoni replikën shqiptare më të mirë të vitit edhe pse nuk ka shpërblim për një gjë të tillë.

 

Tribuna Shqiptare : Për fillim, çka mund të na thoni shkurtimisht për romanin tuaj ?

 

Kadri Sherifi : Shkurtimisht, romani ka të bëjë me Kongresin e Manastirit dhe njëqindvjetorin e tij duke kaluar nga pavarësia e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës. Është një histori dashurie. Si shumica e romaneve, apo jo ?

 

Tribuna Shqiptare : E keni shkuruar në të njëjtën kohë në shqip dhe frëngjisht ?

 

 Kadri Sherifi : Po e kam shkruar në këto dy gjuhë në të njëjtën kohë. Mendoj se versioni shqip  konvenon më mirë për botim fillestar në mënyrë që vepra të konsiderohet si roman shqiptar. Në të kundërtën, bie sikur është shkrim i një mërgimtari i cili ka nostalgji dhe dëshiron të kthehet njëqind vjet thellë në gjirin e popullit të vet. Sidoqoftë, shkrimi në dy gjuhë në të njëjtën kohë më shtyn ta bëj më me siguri pyetjen : A është vepra e eksportueshme në kultura të tjera ?

 

Tribuna Shqiptare :  Besojmë se nostalgjia dhe gjiri i popullit kanë aq rëndësi sa edhe fragmenti i historisë… 

 

Kadri Sherifi :  Padyshim. Por, pretendoj se kam nënvizuar një moment historik nga më të rëndësishmit të popullit shqiptar. Ju ftoj t’ia bëni vetes pyetjen bashkë me mua : Pa alfabetin e Kongresit të Manastirit, do të thotë alfabetin latin, a do të shkruheshin dy kushtetuta shtetesh së pari në shqip e pastaj të përktheheshin në gjuhë të tjera ?

 

Tribuna Shqiptare : Kur thoni « alfabetin  latin » mendoni në tiparin evropjan të shqiptarëve ?

 

Kadri Sherifi :  Pajtjetër. Shqiptarët janë shprehur qartë se janë evropjanë gjatë rënjes së perandorisë famëkeqe osmane e cila i mbyllte shkollat shqipe mu si Millosheviqi. Shqiptarët nuk kanë pranuar një gjë të tillë nën asnjë pretekst.  Si mund të harrohet ky fakt ?

 

Tribuna Shqiptare :  Jeni konkurrues për shpërblimin Rexhai Surroi. Çka do të thotë për juve personi Rexhai Surroi ?

 

Kadri Sherifi :  Rexhai Surroi më kujton disa nga pjesëmarrësit e Kongresit të Manastirit, si nga karakeri ashtu edhe rruga jetësore. Shumë prej kongresistëve në fjalë ishin funksionarë të lartë të perandorisë osmane dhe në të njëjtën kohë merreshin me letërsi dhe gazetari shqipe. Nuk ishin të tillë?

 

Tribuna Shqiptare : Keni pasur takime me njerëz të rëndësishëm, bie fjala... Nënë Tereza.

Kadri Sherifi & Nene TerezaKadri Sherifi : E kam takuar dhe i kam dhuruar 12 trëndafila të kuq në një tufë. Është një moment të cilin nk do ta harroj kurrë... Sikur kishte një aromë shqiptare... Në roman flas për babain e Nënë Terezës, patriotin e shquar Kolë Bojaxhiu. Vdekja e tij mbetet një enigmë: Nga kush është shkaktuar dhe përse?

 

Tribuna Shqiptare :  Në disa artikuj në frëngjisht shihet se keni një stil shumë të larmishëm, për të mos thënë  humoristik...provokues. Vazhdoni të merreni me gazetari në gjuhën frënge ?

 

Kadri Sherifi :  Jo. Ka kohë... Disa artikuj opinioni aty këtu dhe pak intervista kanë qenë mëkate të rinisë. Para disa ditësh e lexova një intervistë për një revistë që kam bërë me një deputet të atëhershëm, zotin David Payne. Më vonë, zoti Payne ka kaluar rreth du vite në Kosovë si i dërguar nga qeveria provinciale e Kebekut, më duket, për të ndihmuar mirëvajtjen e parlamentit kosovar, apo diçka të tillë. A nuk është bota e vogël?


Tribuna Shqiptare : Në disa artikuj në shqip, keni të njëjtin një stil provokues...

 

Kadri Sherifi : Çka t’ju them rreth stilit të larmishëm dhe provokues? Të marrim si shembëll një artikull i cili  nënvizon vitin 2008 si vit ndërkombëtar të patates. Qëllimi im kryesor ishte të bëj të njohur tek shqipfolësit një recetë për ruajtjen e patates e cila është zbuluar nga irlandezët para shumë kohe. Nuk arrija të bindem se do të mund ta botoja në formën e recetës. Kështu, vendosa t’i jap formën e një artikulli opinioni me një stil të larmishëm, humoristik e provokues, siç thoni. A e dini se patatja kultivohet lehtë dhe ruhet lehtë dy vite?

 

Tribuna Shqiptare : E kam mësuar në artikullin tuaj. Të kthehemi te shkrimet: Në  artikullin Kanuni i Neglizhencës kërkoni nga autoritetet kompetente shqiptare që të mos fshihen pas zakoneve për të mos çrrënjosur gjakmarrjen. Sipas disa komenteve, shprehja „Kanuni i neglizhencës“do të futet në enciklopedinë shqiptare....

 

Kadri Sherifi : Lexuesit e faqes Tribuna Shqiptare kanë propozuar në komente të hapura dhe në postime elektronike individuale që të organizohet një ngjarje e quajtur „Kanuni i neglizhences“ në bazë të artikullit. Propozohet, si në artikull, që populli... publiku t’i dërgojë një mesazh të qartë e të fuqishën organeve kompetente për t’i detyruar të marrin të gjitha masat e nevojshme për çrrënjosjen e gjakmarrjes. Të afërmit e vrasësit nuk janë vrasës dhe ata duhet të gëzojnë lirinë e lëvizjes të garantuar me kushtetutë. A ta përgatisim dhe ta udhëheqim së bashku, një ngjarje të tillë? 

Tribuna Shqiptare : Patjetër, Tribuna Shqiptare është një vend  për të gjithë ata që duan të shprehen. Për momentin, të kthehemi tek shkrimet :  A mendoni se shkruani mirë... letërsi?

 

 Kadri Sherifi : A t’ia lëmë lexuesit të përgjigjet në këtë pyetje pas botimit të romanit „Arbëresha“?

 

Tribuna Shqiptare : Pyetja e fundit : Pse  i përfundoni të gjitha përgjigjet e  intervistës me një pyetje tuajën? 

 

Kadri Sherifi : Pse jo ?

*Ajet Nuro është administratori i faqes "Tribuna Shqiptare"

 

   

Copyright albemigrant.com & TribunaShqiptare.com Intervista mund të shpërndahet dhe ribotohet me kusht që të ruhet tërësia e saj dhe të citohet burimi.

 
Biografi e shkurtër
Kadri Sherifi
  • Kadri Sherifi është i lindur në Kosovë në vitin 1967. Ka kryer shkollën e mesme të gazetarisë në Prishtinë ku ka filluar edhe studimet në gjuhë dhe letërsi frënge, të cilat i ka ndërprerë për të lënë vendin. Pastaj, i ka përfunduar ato në drejtimin e mësimdhënjes së frëngjishtes si gjuhë të dytë për të rriturit në Montreal të Kanadasë ku ka dhënë mësim në këtë drejtim për disa vite me radhë.

  • Tani është nëpunës i rregullt në administratën shtetërore (fonction publique) të provincës frankofone të Kebekut (Québec). Paralelisht, shërben si përkthyes i autorizuar nga shqipja në frëngjisht në cilësinë e anëtarit të Urdhërit të përkthyesve, interpretëve dhe terminologëve të autorizuar të Kebekut (Ottiaq). Ka botuar dy libra dhe disa tekste këngësh në frëngjisht.

  • Kadri Sherifi e ndien veten shqiptar pa dallim feje dhe krahine. Herë pas here, paraqitet në mediat frankofone dhe bën ndërhyrje në fusha të ndryshme në lidhje me popullin tonë.

  • Me romanin ende të pabotuar të titulluar ARBËRESHA, të shkruar njëkohësisht në shqip dhe frëngjisht, konkurron për shpërblimin vjetor për letërsi “Rexhai Surroi” 2008. Romani ka si temë qëndrore Kongresin e Alfabetit dhe njëqindvjetorin e tij.

    Artikulli i tij KANUNI i NEGLIZHENCËS ka nxitur një interes mbarëshqiptar për çrrënjosjen e gjakmarrjes. Ky shkrim favorizon ndërhyrjen e autoriteteve kompetente dhe dënon „drejtësinë“ paralele.

    www.KadriSherifi.com