AlbEmigrant  
  
Intervistat
 
Intervistë me Z. Joseph Dioguardin, president i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amrikane
 
 
Menuja Albemigrant
albemigrant
tribuna shqiptare
Lajme / News
Kosova tek AlbemigranT
Guestbook
Intervista

 

 

Në atë pranverë të largët të 1990-s kur kam degjuar për herë të parë emrin e Joseph Dioguardit nuk mund ta realizoja që ai ishte pjesë e asaj që ai do ta quaj « gjaku i shprishur ». Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte fjala amerikanë. Ish-kongresisti amerikanë Joseph Dioguardi kishte çuar në Kosovë kongresistin Tom Lantosh për ti bërë të njohur represionin serb mbi shqiptarët e pambrojtur të Kosovës, pa harruar të kaloj kufirin me Shqipërinë, (gjer atherë të mbyllur për amerikanët...) për ti kërkuar trashëgimtarit të Enver Hoxhës demokratizimin e vendit dhe hapjen e Shqipërisë ndaj botës. Që nga ajo kohë, Joseph Dioguardi nuk ka reshtur së "bredhuri" për çështjen e Kosovës, Shqipërisë, Çamërisë, shqiptarëve të Maqedonisë duke u bërë ambasadori i tyre në Washington. Sot, nuk ka amerikanë që të mos e njohi Kosovën, por në vitet '90 jo vetëm amerikanët e thjeshtë por as Kongresi Amerikan nuk kishte dijeni për çështjen e Kosovës. I takon Joseph Dioguardit dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane merita e bërjes së njohur para botës të dhunës dhe represionit të Milosheviçit ndaj shqiptarëve të Kosovës. Nuk po zgjatem shumë sepse atë çfarë ka bërë zoti Dioguardi dhe LQSHA e gjeni tek faqja web www.aacl.com. Duke dashur të hap një rubrikë tek albemigrant ku të “vjel” mendimin e emigrantëve shqiptarë mendimi i parë që më erdhi ishte një intervistë me zotin Dioguardi. Dua të falenderoj shumë persona që u përfshinë në këtë ndërmarrje por mbi të gjithë, vet zotin Dioguardi që më kushtoi kohën e vetë dhe më ka dhënë me shumë dëshirë një intervistë shumë bujare.
Ajet Nuro administrator i albemigrant.com

Shënim : Një biografi të zgjeruar e zotit Dioguardi mund ta lexoni në librin “Shqiptarët e Amerikës” të Vehbi Bajramit ( English : The Albanians of America)

 

 

Intervista

Albemigrant :  Së pari, duke konsideruar kapacitetin dhe patriotizmin e gjeneratës së fundit të mërgimtarëve shqiptarë, a mund të na flisni për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe marrëdhëniet e saj me këtë gjeneratë mërgimtarësh shqiptarë në SHBA dhe Kanada?

Z. Dioguardi : Një prej sfidave më kryesore me të cilën jemi ballafaquar unë dhe Shirley që nga koha kur ishim bashkuar më 1993 (katër vite pasi që kisha lënë Kongresin e SHBA-ve dhe kisha formuar Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane më 1989) ka qenë lidhja me komunitetet e mëdha shqiptare në diasporë në Amerikën Veriore dhe rreth botës.  Kemi udhëtuar që nga Alaska në Australi, nga Washingtoni në Bruksel, nga Toronto në Londër, përveq udhëtimeve të shumta për në Shqipëri, Kosovë, dhe trojet shqiptare në Preshevë, Maqedoni, dhe Mal të Zi. Pse?  Për t’u takuar me shqiptarët e këtyre vendeve dhe për t’i informuar ata (dhe përmes tyre për t’i zgjuar liderët e tyre politikë) që një zë i pavarur – LQSHA – po punonte në Washington dhe nëpër parlamentet tjera botërore për të drejtat e njeriut, demokracinë, lirinë, dhe vetëvendosjen për të gjithë shqiptarët në Ballkan. Pasi që shqiptarët, edhe në SHBA dhe Kanada, nuk janë të bashkuara kur vijnë në pyetje objektivat kombëtare, politike dhe qytetare (qofshin brenda, qoftë jashtë), ka qenë e vështirë dhe vetëm pjesërisht e suksesshme strategjia jonë për t’i bashkuara ata si pjesëmarrës në misionin tonë. Për të patur sukses në tejkalimin e kësaj sfide të vështirë, LQSHA ka fokusuar aktivitetet e veta kryesore në arritjen e pavarësisë për Kosovën përmes punës sonë të ngushtë më miqë të fuqishëm në Kongresin e SHBA-ve, dhe jemi afër përmbushjes së kësaj objective, e cila edhe ka qenë objektiva jonë kryesore dhe më e rendësishmja për mëse njëzet vitet e kaluara.
     
Albemigrant :   Duke iu falëmderuar mundësive moderne të komunikimit, duke se diaspora shqiptare po përparon.  Intelektualët, vecanërisht, janë më shumë të vetëdijshëm tani në lidhje me faktin se duhet të bejnë dicka për të influencuar dhe ndryshuar gjërat pozitivisht dhe në të mire të të gjithë shqiptarëve. A mund të shtoni më shumë hollësi në këtë pikë, duke u bazuar në eskperiencën tuaj personale?

Z. Dioguardi : E mira është se interneti i ka mundësuar LQSHA-së, me shfrytëzimin e teknologjisë së sofistikuar dhe përkushtimin e shumë të rinjëve vullnetarë shqiptarë të arsimuar, të ndërtojë një listë prej mëse 20,000 shqiptarëve të cilëve ne u dërgojmë informacione të rregullta në mënyrë profesionale, si dhe incizime të ndryshme, lajmërime, deklarata për shtyp, dhe artikuj të ndryshëm për temat që ne besojmë se janë të rendësishme për kauzën kombëtare shqiptare—në rend të pare, për pavarësinë e Kosovës.  Gjerësa po rritet numri i shqiptarëve të rinjë nga Ballkani që po studijojnë në SHBA, Kanada, dhe Mbretërinë e Bashkuar, po rritet edhe numri i përkahësve tonë, pasi që këta të rinjë na kontaktojnë përmes web-faqës sonë (www.aacl.com) dhe na ndihmojnë në përgjigjet kundër gënjeshtrave të lobit serb, dhe propagandës së tyre të financuar mire në Washington dhe Evropën Perëndimore. 

Një shembull i shkëlqyeshëm të këtij fenomeni në rritje është Faton Bislimi, lindur e rritur në Gjilan, i cili na kishte kontaktuar mua dhe Shirley-in mëse pesë vite më pare gjerësa ishte student në Texas Lutheran University, ku po studijonte në shkenca kompjuterike dhe matematikë.  Ne kërkuam nga ai të përfaqësonte LQSHA-në (dhe rininë e Kosovës) nëpër një sër konferencash rinore evropiane në Bruksel e Pragë, ku prezentimet e tij në lidhje me pavarësinë e Kosovës (duke përdorur logjikën tonë për argumentinim e pavarësisë përmes Rezolutave Kongresionale në Washington) ishin vlerësuar lartë dhe me nderime të ndryshme dhe i kishin sjellur atij miqë dhe përkrahës të shumtë nga studentët më të mirë të Evropës.  Këta studentë nuk dinin asgjë në lidhje me perspectivën shqiptare dhe argumentet për ndarjen e Kosovës nga Serbi në fazën finale të ndarjes së Ish-Jugosllavisë, një konfederate jofunksionale të përbërë nga tetë njesi konstituuese, një për të cilave ishte edhe Kosova.  Fatoni mandej ka vazhduar studimet postdiplomike në Shkollën e Qeverisjes John F. Kennedy të Universitetit të Harvardit. Në fillim të Qershorit ka magjistruar nga Harvardi dhe është kthyer në Kosovë ku tani punon më UNDP-në.  Sidoqoftë, ai vazhdon të ndihmojë LQSHA-në në ndërtimin e një rrejti të studentëve shqiptarë nëpër universitete botërore, si një prej vullnetarëve tanë më aktiv.

Tre nga vullnetarët tonë më të rinjë (sa për të dhënë edhe disa shembuj të këtij trendi në rritje për LQSHA-në dhe kauzën kombëtare shqiptare) janë edhe Arben Skivjani nga Gjakova, që studijon dhe punon në Alabama, Sation Sema nga Shqipëria, tani në New York,  dhe Altin Lepaj nga Shqipëria, tani në Londër.

LQSHA do të vazhdoj të vë kontakte më studentë shqiptarë në Ballkan dhe anekënd botës në mënyrë që të edukohet dhe aktivizohet një gjeneratë e re për kauzën kombëtare shqiptare, të cilën ne vazhdojmë ta identifikojmë si:

  • Pavarësi për Kosovën
  • Demokraci të vërtetë dhe funksionale në Shqipëri
  • Barazi e plotë për shqiptarët e Maqedonisë nën Marrëveshjen e Ohrit
  • Barazi e plotë për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës sipas ligjit ndërkombëtar dhe standardeve të Këshillit të Evropës

 

  • Barazi e plotë dhe njohje e identitetit kombëtar të shqiptarëve ne Greqi, dhe kompenzim për Camët
  • Njohje botërore dhe respect për popullit shqiptar për tolerancën e tyre religjioze dhe për heroizmin e tyre në shpëtimin e të gjithë hebrejve nga nazistët në Shqipëri e Kosove gjatë Luftës së Dytë Botërore

 

  • Rikujtim ndaj vllezërve dhe motrave tona italiane për rolin e rendësishëm që shqiptarët kanë luajtur historikisht në shpëtimin e Mbretërisë së Napolit nga francezët më 1443 dhe 1461, sikur edhe për shumë kontribute tjera kulturore, arsimore, dhe qytetare që Arbreshët I kanë sjellur Italisë për mëse 500 vite

Albemigrant :  Në lidhje me politikën në trojet shqiptare, a mendoni se edhe diaspora shqiptare ka të drejt të ngre zërin e vet?

Z. Dioguardi :  Presidenti John F. Kennedy në fjalimin e tij inagurues më 1961 u ka thenë amerikanëve: “Mos pyesni cfare mund vendi të bëjë për ju, por pyesni cka ju mund të bëni për vendin tuaj.”  Shqiptarëve në diasporë, unë do t’u thosha dicka të ngjashme: “Mos pyesni se cfarë po bojnë politikanët shqiptarë për ju dhe familjet tuaja në Shqipëri, Kosove dhe viset tjera shqiptare. Por, pyesni se cfarë po bëni ju, si pjesëtarë të një diaspore të madhe shqiptare në SHBA, Kanada, Europë dhe nëpër botë, për fuqizimin dhe ndërtimin e një imazhi të mire për kombin shqiptar prej shtat milionësh në Ballkan dhe të paktën shtat milionësh tjerë nëpër botë, duke përfshirë këtu rreth pesë milionë në Turqi dhe më shumë se një milion në Greqi—shumica e të cilëve nuk kanë as identitet kombëtar apo të drejta për gjuhën shqipe dhe që po asimilohen, kundrejtë kepërceptimeve të ligjit ndërkombëtar kundër shqiptarëve përdite.

Liria e fjalës së lire është njëra prej të drejtave bazike të njeriut e cituar në Ligjin e të Drejtave të Kushtetutës së SHBA-ve. Por, kjo e drejtë është gjithashtu një e drejtë universale e dhënë nga Zoti që duhet të ushtrohet nga të gjithë shqiptarët cdokund—vecanërisht për identitetin dhe kauzën e tyre kombëtare. Cdo e drejtë ka me vete edhe përgjegjësinë për ushtrim të saj, vecanërisht kur të drejtat që të gjithë njerëzit duhet t’I kenë thyhen, sic ka ndodhur me shqiptarët nën komunizmin e Shqipërisë, dhe nën Ish-Jugosllavinë, për shkak të okupimit brutal në duar të serbëve, malazezëve, dhe maqedonëve, dhe për shkak të trajtimit thaujse të egër dhe të asimilimit nga Grekët dhe Turqët.  LQSHA ka shërbyer si urëlidhëse për t’iu mundësuar të gjithë shqiptarëve që kërkesat e tyre për liri, vetëvendosje, dhe të drejta universale njerëzore, qytetare, ekonomike dhe politike, të dëgjohen në Washington. Fatkeqësisht, jo mjaft shqiptarë marrin pjesë ne zërin tonë “kolektiv” në SHBA dhe Kanada kundër gënjeshtrave dhe propagandës së keqe nga lobi serb dhe grek.

 

Albemigrant :  Presidenti Bush premtoi pavarësi për Kosovën. A mund shqiptarët të “flejnë” tani, apo ndoshta rruga gjerë tek pavarësia e plotë nuk është përmbyllur ende?
 
Z. Dioguardi : Kur vije në pyetje liria, demokracia e vërtetë, dhe mbrojtja e identitetit kombëtar të dikujt që kërcënohet nga fqinjët e vet të cilët kanë treguar vetën si të rrezikshëm, shqiptarët kurrë nuk mund të “flejnë”.  Njëri nga themeluesit e shtetit tonë, Thomas Jefferson, njëherë kishte thenë se “cmimi i lirisë është vigjilenca e përjetëshme.”  Mendoj se është shumë kuptimplotë dhe e qëlluar që simboli kombëtar i shqiptarëve është shqiponja dykrenare—e kthyer në dy anët, duke shiquar në cdo drejtim—në veri e jug, në lindje e perëndim. Që nga era romake, kur ilirët, paraardhësit tonë shqiptarë, përfundimisht (pas 200 viteve) hynë në forcën marramendëse të legjioneve ushtarake të Romës në shekullin e pare para erës sonë, dhe si të tillë u bënë një pjesë e rendësishme e Mbretërisë Romake (pa lënë anash asnjëherë gjuhën dhe identitetin e tyre kombëtar), shqiptarët gjithëherë me përkushim I kanë rezistuar pushtuesit e tyre. Kush mund t’i harrojë sukseset e Gjergj Kastriotit në shekullin e pesëmbëdhjetë kundër turqëve otomanë?  Edhepse pas vdekjes së tij më 1468, pas së cilës turqit morrëm hov dhe pushtuan Shqipërinë më 1488, mbrojtja e mencur e Kastriotit për 27 vjet kundër ushtrive të sulltanit kishe dobësuar thellësisht Mbretërinë Otomane dhe si pasojë I kishe pamundësuar asaj pushimin e Evropës Perëndimore.  Dhe, kush mund të harrojë Ded Gjo Lulin, Azem Galicën, Ismail Qemalin, Ipeshkv Fan Nolin, Faik Konicën, Sami dhe Naim Frashërin, Nënën Terezë, Adem Jasharin, apo Ramush Haradinajn dhe UCK-në? Këta dhe shumë patriotë tjerë kanë dhënë shembullin që duhet ndjekur nga të gjithë shqiptarët—të involvohen disi për të kompletuar lirinë e popullit shqiptar—vecanërisht tani kur SHBA-te në mënyrë active po përkrahin pavarësinë e Kosovës edhe përkundër makinacioneve gjeopolitike të Rusisë, Serbisë, Greqisë, dhe disa vendeve evropiane.  Ne nuk duam të shohim një shtet të Kosovës të kompremituar nga Evropa që do të ishte një shtet i dështuar, i ndarë në vija etnike sikur Bosnja, që do të arrinte askund, përveq në degradim të mëtutjeshëm ekonomik dhe politik.

Albemigrant :  Ju i njihni shumë mire shqiptarët. Nëse do të luteshit që fëmijët tanë të ruanin disa nga traditat dhe vlerat tona, cilat do të zgjidhnit?

Z. Dioguardi :  Do të ishte marrëzi sikur pas sa shekujve robërim, shqiptarët do të harronin historinë e tyre madhore dhe do të humbisnin vlerat dhe traditat e tyre në një kohë kur tek ta po agon liria dhe demokracia, vecanërisht tani me përkrahjen e SHBA-ve (vendit më të rendësishëm dhe demokracisë më të fuqishme të botës). Mendoj për babain tim dhe familjen e tij arbëreshe dhe paraardhësit e tij nga Katundi Greci në Itali, afër Napolit. Ata kishin arritur në atë vend me ushtrinë e Skenderbeut më 1461 për të mbrojtur Mbretërinë e Napolit nga francezët, me kërkesë të Papës Pius II. Dhe, që nga ajo kohë, ata e kanë ruajtur gjuhën, kulturën, dhe traditën e tyre për mëse 550 vite—edhepse të ndarë nga Shqipëria dhe trojet shqiptare.

Babai im, Xhuzepe, erdhi në SHBA më 1929 si një djalosh i varfër dhe me pak arsim që fliste dy gjuhë – shqip dhe italisht. Ishte vetëm 15 vjecar dhe iu desh të mësoj anglishtën për të punuar parreshtur për të ndihmuar financiarisht  familjen e tij – nënën e motrat, pasi që babanë e kishte të sëmurë në atë kohë. Ai më rriti mua me këto vlera evropiane dhe shqiptare që më mundësuan të isha një biznesmen dhe një kongresist i suksesshëm--punë shumë, vlera familjare, ndershmëri, dhe besim.  Babai im e mbante besën me paraardhësit e tij shqiptarë duke mos më lënë mua të harrojë se nuk isha një italo-amerikan i thjeshtë në komunitetin italian të Bronx-it, por se isha arbëresh me një histori antike dhe me tradita e gjuhë të vecantë.

Kurrë nuk do ta harroj përshëndetjen e tij kur takohej me të tjerët për here të pare pasi që rastësisht dëgjonte se flisnin Arbreshë apo “Albanese.” Do t’i përqafonte, duke thenë “Gjaku i Shprishur” (që në përkthim do të thontë gjaku im i humbur apo shpërndarë). Kur si kongresist më 1985, kisha pare babain tim të fliste shqip me disa shqiptarë nga Jugosllavia—jo Italia—e kuptova me të vërtetë se isha shqiptar dhe se duhej të mbaja besën me njerzit e babait tim në të dyja anët e Adriatikut si një aktivist, advokat, dhe lobiist për të drejtat e tyre kombëtare dhe për vetëvendosje.

Pra, përfundimisht, do t’i këshilloja të rinjtë shqiptarë që të ndjekin shembullin tim (dhe atë të babait tim) duke mbajtur besën me historinë e tyre përmes punës së zellëshme, arsimimit adekuat, dhe përmes angazhimit në kauzën kombëtare shqiptare.

Albemigrant :  Duke iu referuar historisë së gjatë të aktiviteteve LQSHA-së, a mund të na thoni se cili moment ju ka impresionuar më së shumti?

Z. Dioguardi :  Momenti më i rendësishëm për mua personalisht, që nga themelimi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Janar 1989, ishte sjellja e kongresistit Tom Lantos me mua në Kosovë në Maj 1990 për të konfrontuar forcat militare dhe paramilitare të Slobodan Millosheviqit para Hotel Grand në Prishtinë. Disa ditë më vonë, kishim fluturuar për në Shqipëri për të konfrontuar regjimin komunist të pasardhësit të Enver Hoxhës, Ramiz Alia, duke kërkuar nga ai që të hap kufijtë e Shqipërisë dhe për të lejuar valet e demokracisë që po rrahninë edhe Evropën Lindore të hyjnë në Shqipëri, thuajse një vit pas rënies së Murit të Berlinit.

Më duhet gjithashtu të them se puna më e rendësishme e LQSHA-së u bë në Washington, ku shumë Rezoluta Kongresionale, deklarata, dëgjime për mbi njëzet vite kanë përgatitur rrugën drejt pavarësisë së Kosovës dhe daljes së kombit shqiptar si një komb i rendësishëm i Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Albemigrant :  Cili do të ishte mesazhi juaj për shqiptarët, nëse duan të ndihmojnë kauzën kombëtare dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane?

Z. Dioguardi :  Mënyra më e mire për shqiptarët që të ndihmojnë kauzën e tyre kombëtare është përmes përkrahjes dhe pjesëmarrjes në punën historike që unë e fillova më 1985, dhe të cilën e vazhdova më gruan time, Shirley Cloyes, që nga 1994 deri më tani.  LQSHA është një organizatë më anëtarësi dhe një bord prej 35 biznesmenëve shqiptaro-amerikanëve që sigurojnë një pjesë të madhe të buxhetit tonë vjetor për lobim, marrëdhënie me publikun, dhe kontributeve ndaj fushatava politike për zyrtarë të zgjedhur që përkrahin cështjen tonë, interesat, dhe preokupimet tona në Washington.  Pjesa tjetër ë përkrahjes vjen nga shqiptarët që anëtarësohen tek (shiko faqen tonë www.aacl.com) ne dhe nga italianët e hebrejtë që e kuptojnë rendësinë historike të shqiptarëve. Përgjigja ime e shkurtër është: përfshihuni, sepse na nevojiten më shumë shqiptarë dhe përkrahës e miq. Mos harroni atë që njëherë e kishte thenë heroi ynë i madh, Gjergj Kastrioti – Skenderbeu, “Trimi i mire me shokë shumë!”

 

Intervistoi për albemigrant.com Ajet Nuro
Përktheu: Faton Bislimi

Copyright albemigrant.com Intervista mund të shpërndahet dhe ribotohet me kusht që të ruhet tërësia e saj dhe të citohet burimi.

 

albanian flag american flag
 
Biografi e shkurtër
Joe DioGuardi
  • Lindur më 20 shtator 1940, në Bronks të Nju Jorkut.
  • Profesioni :Llogaritar - Politikan
  • Karriera politike : Anëtar i Kongresit Amerikan nga 3 janari 1985 deri më 3 janar 1989
  • Themelues dhe President i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane më 1989
  • I martuar me Shirley Cloyes DioGuardi këshilltare për çështjet e Ballkanit
  • Ka një vajzë, Kara Dioguardi, artiste, këngëtare, producente
  • Faqja zyrtare e LQSHA


Nė videon e mėposhtėme zoti Dioguardi shpjegon origjinėn e tij shqiptare dhe lidhjen e tij me kėtė origjin (English)

Videoja e mëposhtëme është prova e përpjekjeve të jashtëzakonëshme të zotit Dioguardi për të bërë të njohur në Kongresin amerikan, çështjen e Kosovës. Bile Milosheviç e akuzon zotin Dioguardi si shkaktar të konfliktit mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë (English)


Online Videos by Veoh.com

Në videon e mëmoshtëme, Milosheviç në përpjekje për të shpëtuar lëkurën, akuzon diasporën shqiptare dhe zotin Dioguardi si nxitës të separatistëve shqiptar në Kosovë. (English)